Sanksionet amerikane të vendosura këtë javë ndaj zyrtarit të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, njëherit Kryetar i Strugës, Ramiz Merko, bënë shumë bujë dhe zgjuan interesimin e publikut për këtë mekanizëm të politikës së jashtme të ShBA-ve.
Por çfarë cilat janë regjmet e sanksioneve amerikane që zbatohen në Ballkanin Perëndimor? Cilat janë bazat ligjore, individët dhe subkjektet e sanksionuara deri më tani dhe pasojat e sanksioneve amerikane?
Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi dhe Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike (IDEA) sjellin një fletë informative për të qartësuar këto dhe çështjet tjera në lidhje me sanksionet amerikane në Ballkanin Perëndimor.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) vendosin sanksione ekonomike dhe tregtare ndaj individëve, subjekteve dhe juridiksioneve në të gjithë botën, bazuar në politikën e jashtme dhe qëllimet e sigurisë kombëtare të ShBA-ve. Këto masa zbatohen kryesisht nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) të Departamentit të Thesarit. Departamentet tjera si ai i Shtetit, i Tregtisë dhe i Mbrojtjes luajnë poashtu role të rëndësishme në procesin e vendosjes së sanksioneve.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur regjim të dedikuar të sanksioneve që nga viti 2001, kur. Presidenti George W. Bush nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv 13219 mbi “Bllokimin e pronës së personave që kërcënojnë përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor”, i ndryshuar më 2003 përmes Urdhrit Ekzekutiv 13304. Përmes tyre, 169 persona, individë dhe subjekte, të perceptuar si minuese të paqes në republikat e ish-jugosllave u vendosën në listën SDN. Në Maqedoninë e Veriut, kjo listë përfshinte ndër të tjerë Ljube Boshkovskin, Menduh Thaçin, Xhevat Ademin, Xhezair Shaqirin dhe entitete si Armata Kombëtare Shqiptare.
Shumë shtetas dhe subjekte të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë sanksionuar nga ShBA për aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes instrumenteve tjera sanksionuese siç janë regjimet e sanksioneve kundër trafikimit me narkotikë, kundër terrorizmit global, Akti Global Magnitsky apo regjimet e sanksioneve kundër Rusisë dhe Krimesë.
Por me ardhjen e Presidentit Joe Biden në krye të ShBA-vë, ndodhi një ndërrim i vërtetë paradigme në lidhje me regjimin e sanksioneve të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor: sanksionet amerikane u bënë mjet për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë, me fokus të veçantë te politikanët dhe zyrtarët e lartë shtetëror.
Më 8 qershor 2021, Presidenti Biden nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv 14033 për “Bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor”, në zbatim të së cilit, deri më tani janë përcaktuar publikisht 18 individë dhe subjekte të cilët janë nën sanksione ekonomike dhe nën ndalesa udhëtimi drejt ShBA-ve, duke përfshirë Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin, Millorad Dodikun dhe subjektet ekonomike të ndërlidhura me ta.
Si pasojë e sanksioneve, të gjitha pronat dhe interesat pronësore të individëve ose subjekteve të përcaktuara që gjinden në ShBA ose janë në posedim apo kontroll të personave amerikanë duhet të bllokohen dhe të raportohen në OFAC. Përveç kësaj, individët e përcaktuar publikisht kanë ndalesë udhëtimi në ShBA. Për më tepër, Departamenti i Shtetit përcakton edhe anëtarët e ngushtë të familjes së individëve të përcaktuar, të cilëve gjithashtu iu ndalohet udhëtimi për në ShBA.
Sanksionet ndaj Merkos, ashtu si në rastin Sali Berisha, kufizojen në ndalesa udhëtimit drejt ShBA, duke përfshirë familjen e tij të ngushtë. Baza ligjore e përcaktimit të Merkos dhe Berishës është seksioni Seksioni 7031(c) mbi anti-kleptokracinë dhe të drejtat e njeriut i Ligjit buxhetor të Departamentit të Shtetit, operacioneve të jashtme dhe programeve të ndërlidhura.
https://idea.org.mk/wp-content/uploads/2023/06/20232406-Flete-informative-Sanksionet-ShBA-Designed.pdf Download