Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike – IDEA ka bërë një analizë të statistikave dhe trendeve të turizmit në Maqedoninë e Veriut nga viti 2011 deri në vitin 2022.
Në përgjithësi, lehtë shihet trendi rritës sa i përket numrit total të turistëve që vizitojnë Maqedoninë e Veriut nga viti 2011 deri në vitin 2022.
Ardhjet e turistëve dhe netët turistike të kaluara
Sipas të dhënave, numri total i turistëve dhe netëve të kaluara ka vazhduar të rritet gjatë viteve, me përjashtim të vitit 2020 ku u shënua rënie e konsiderueshme (-47.97%) për shkak të pandemisë së COVID-19. Sidoqoftë, rikuperimi ka qenë i shpejtë dhe i fuqishëm me rritje prej 36.29% në 2021 dhe 23.13% në 2022, duke e kthyer numrin e turistëve në nivelet paraprake të pandemisë.
Në vitin 2022, numri total i turistëve ka arritur në 969,277, ndërsa numri total i netëve të kaluara ka arritur në 2,848,604. Kjo tregon një rritje prej 23.13% krahasuar me vitin e kaluar.
Turistët sipas origjinës
Nëse analizojmë përhapjen e turistëve sipas origjinës, vërejmë se pjesëmarrja e turistëve vendas ka rënë nga 49.43% e totalit në 2011 në 44.55% në 2022, ndërsa pjesëmarrja e turistëve të huaj është rritur nga 50.57% në 2011 në 55.45% në 2022. Kjo tregon një interesim të shtuar të turistëve të huaj për të vizituar Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 2022, 10 shtetet nga ku kanë ardhur më së shumti turistë në Maqedoninë e Veriut janë: Turqia (79,927), Serbia (63,834), Greqia (29,918), Gjermania (27,826), Bullgaria (25,600), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (23,372), Polonia (23,150), Kosova (21,274), Shqipëria (20,738) dhe Hollanda (19,853).
Turizmi në Ohër dhe Strugë
Ohri dhe Struga janë dy nga destinacionet kryesore turistike në Maqedoninë e Veriut pas Shkupit. Në vitin 2022, Ohri ka tërhequr 283,270 turistë, ndërsa Struga 78,844 turistë. Në vitin 2011, pjesëmarrja e turistëve në Ohër ishte 75.11%, ndërsa në Strugë ishte 24.89%. Kjo pjesëmarrje ka ndryshuar pak në vitin 2022, ku Ohri ka përfshirë 78.23% të turistëve dhe Struga 21.77%.
Kapacitetet Hotelerike
Kapacitetet hotelerike në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë kësaj periudhe 11-vjeçare. Numri i dhomave në hotele me 5 yje ka rritur me 156.42%, ndërsa në hotele me 4 yje ka rritur me 143.46%. Ndërkohë, hotelet me 1 yll kanë parë një rënie të madhe prej 44.73%.
Turistët sipas regjionit
Numri i turistëve është rritur në të gjitha regjionet e Maqedonisë së Veriut midis viteve 2011 dhe 2022, me përjashtim të regjionit të Pellagonisë ku ka pasur një rënie prej 33.95%. Rritja më e madhe është shënuar në regjionin Verilindor me 174.26%, ndërsa regjioni Jugperendimor, që përfshin destinacionet kryesore turistike si Ohri dhe Struga, ka shënuar rritje prej 51.44%.
Përfundim
Duke u bazuar në të dhënat e mësipërme, mund të përfundohet se turizmi në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë dekadës së fundit, me rritje të numrit të turistëve, numrit të netëve të kaluara dhe kapaciteteve hotelerike. Gjatë kësaj periudhe ka pasur nje rritje te ndjeshme të numrit të turisteve në Maqedonine e Veriut, ku kemi nje shtim prej 50.08% të turistëve dhe 31.02% të netëve të kaluara në vitin 2022 krahasuar me vitin 2011. Kjo rritje ka qenë konsistente deri në vitin 2019, ku kishim një rënie e thellë në vitin 2020 si pasojë e pandemisë Covid-19, por më pas ka filluar rikuperimi relativisht i shpejtë., Në vitin 2022 kemi pasur një rritje prej 23.13% krahasuar me vitin 2021.
Turistet e huaj kanë qenë më të shumtë se turistet vendor në vitet 2011-2019, ku kane arritur 63.93% në vitin 2019. Me pas, në vitin 2020, turistet vendor kanë qenë më të shumtë së turistët e huaj, ku kanë arritur 74.72%, pasi pandemia Covid-19 ka penguar udhetimet ndërshteterore. Me pas, ne vitin 2021 dhe 2022, turistet e huaj kanë filluar të rriten serish, ku ne vitin 2022 kane arritur 55.45%.
Megjithatë, për t’u përmirësuar më tej, sektori i turizmit ka nevojë për investime dhe politika të qëndrueshme.